Oferta e ngjarjeve kulturore të promovuara nga Ambasada e Italisë në Shkup për edicionin e 21 të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, këtë vit kushtuar përkujtimit të shekullit të shtatë të vdekjes së Dante Aligierit, poet i konsideruar ati i gjuhës italiane dhe i vetë idesë së Italisë, është veçanërisht e pasur dhe me cilësi të lartë. Ngjarjet do të zhvillohen, në fakt, në disa drejtime, nga muzika në kinema, nga kritika letrare në operë, nga arti në dizajn.
Më 7 tetor pianisti i njohur maqedonas Simon Tërpçeski i drejtuar nga Gabriel Bebeselea, e interpretoi Simfoninë ‘Dante’ dhe Koncertin nr. 2 për piano dhe orkestër nga Franz Liszt në Orkestrën Filharmonike në Shkup, e cila e hapi sezonin e koncerteve. Më 18 tetor filloi Java e Gjuhës Italiane në Botë me një seminar në internet nga kritiku i mirënjohur letrar Prof. Giulio Ferroni i Universitetit ‘La Sapienza’ të Romës, fitues i Çmimit Viareggio 2020 për pjesën jo-trilluese, me Italinë e Dantes. Udhëtim në tokën e Komedisë.
Në mbrëmje, në Muzeun Arkeologjik të Shkupit, u përurua ekspozita Raffaello. Opera Omnia, ku do të jetë e mundur t’i qasemi veprave të një prej mjeshtrave më të mëdhenj italianë të pikturës së Rilindjes, gjithashtu përmes një instalimi interaktiv.
Më 19 tetor, në Kinotekën e Maqedonisë së Veriut, u shfaq filmi Inferno, regjisor Francesco Bertolini në 1911 dhe i frymëzuar nga ilustrimet e Gustavo Doré. Një mundësi e veçantë për të parë një kryevepër të kinemasë pa zë italiane, e shoqëruar në piano nga pianisti Mario Mariani.
Më 21 tetor, do të prezantohet një ngjarje ndërkulturore e organizuar nga Universiteti ‘Goce Delçev’ i Shtipit, e titulluar “Bota e Dantes në kujtesën kolektive – aspektet gjuhësore dhe vizuale”. Më 22 tetor do të shpallet fituesi i konkursit të organizuar nga Instituti ‘Dante Aligieri’ i Shkupit për posterin më të mirë, i zgjedhur si poster për Javën e Gjuhës Italiane.
Më në fund, më 19 nëntor, në mbyllje të përkujtimeve kushtuar Dantes, do të ketë premierë botërore, në teatrin kombëtar të operës dhe baletit, opera e re Lapeggiamenti, amenità, querimonie et altri tremendi affetti nella nobilissima Florentia (libret nga Claudio Saltarelli dhe muzikë nga Joe Schettino), interpretuar nga tenori maqedonas Bllagoj Nacoski dhe nga baritoni Gianpiero Ruggeri.
Ngjarjet e shumëllojshme u drejtohen të gjithë dashamirëve të artit dhe kulturës italiane të cilët gjithashtu mund të vizitojnë nismën e veçantë për shitjen promovuese të veprave letrare italiane në librari të shumta në Shkup.
Për më shumë informata në lidhje me ngjarjet mund të konsultoni programin e detajuar të publikuar në faqen zyrtare të internetit dhe në faqen Facebook të Ambasadës së Italisë.