Italia rikonfirmon angazhimin e saj të vendosur për luftimin e të gjitha formave të diskriminimit dhe dhunës ndaj grave, që vazhdon të jetë një pengesë serioze dhe e papranueshme në gëzimin e të drejtave të grave dhe realizimin e plotë personal. Një angazhim themelor i veprimit të politikës së jashtme të vendit tonë, të cilin Ministria e Punëve të Jashtme po e ndjek si në nivelin diplomatik-negociues, ashtu edhe në atë të bashkëpunimit zhvillimor. Dëshmi për këtë janë fushatat e shumta ndërkombëtare, siç janë ato për çrrënjosjen e gjymtimit gjenital femëror (FGM) dhe martesat e parakohshme e të detyruara, ku Italia është gjithmonë në ballë.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave, Ministria e Jashtme dhe rrjeti i saj jashtë shtetit marrin pjesë në fushatën ndërgjegjësuese #OrangetheWorld, e promovuar nga UN Women, që në vitin 2019 është përqëndruar në luftën kundër përdhunimit, një formë e dhunës gjinore veçanërisht e urryer dhe e përhapur, nga e cila një në tri gra në botë ka qenë viktimë në jetën e saj. Gjithashtu, fushata do të shoqërohet me hashtagun #GenerationEquality i cili, duke kujtuar njëzet e pesë vjetorin e Deklaratës së Pekinit për gratë, fton të gjithë të ndërmarrin hapa të mëtutjeshëm të rëndësishëm drejt barazisë gjinore: qëllim, që asnjë vend në botë nuk mund të thotë që e ka arritur deri më sot.
Përkushtimi i Italisë për eliminimin e dhunës gjinore
Italia është e angazhuar në mënyrë aktive në promovimin e të drejtave të grave, vajzave dhe vajzave të vogla, në marrëdhënie dypalëshe me shtetet e tjera, në organizata ndërkombëtare dhe në programe të bashkëpunimit zhvillimor, për realizimin e plotë të qëllimit për zhvillim të qëndrueshëm SDG 5 të Agjendës së vitit 2030. Parandalimi dhe luftimi kundër të gjitha formave të dhunës ndaj grave, gjithashtu është ndër prioritetet e mandatit aktual të Italisë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara (2019-2021).
Ditët e fundit, në Samitin e Nairobit për njëzet e pesë vjetorin e Konferencës Ndërkombëtare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ICPD), Italia ka njoftuar për angazhime të reja në fushat që kanë qenë gjithmonë përparësi, siç është lufta kundër praktikave seriozisht të dëmshme siç është gjymtimi gjenital i grave dhe martesat e parakohshme e të detyruara, që shkaktojnë shkelje të integritetit të shëndetit fizik dhe mendor të grave dhe vajzave të vogla, si dhe në uljen e vdekshmërisë së nënës dhe emancipimin e grave të reja në çështjet e shëndetit seksual dhe riprodhues. Edhe Plani strategjik kombëtar për dhunën e burrave ndaj grave 2017-2020, me të cilin zbatohet Konventa e Stambollit për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje, gjithashtu parasheh përpjekje të rëndësishme për mbrojtjen e grave dhe vajzave të vogla.
Gjithashtu, Italia mbështet nismat ndërkombëtare për parandalimin dhe luftimin e dhunës seksuale dhe gjinore në situata konflikti dhe emergjente (përfshirë Call to Action on Protection from Gender-Based Violence in Emergencies), si dhe në bashkëpunim zhvillimor dhe ndihma humanitare (për shembull, rekomandimi i sivjetëm i OCSE-DAC). Italia prej kohësh ka qenë e angazhuar në promovimin e një politike me zero tolerancë ndaj abuzimeve dhe shfrytëzimit seksual të kryer nga personeli ushtarak dhe civil i angazhuar në misionet paqeruajtëse të OKB-së.