OPSIONI PËR VOTUESIT QË NDODHEN PËRKOHËSISHT JASHTË SHTETIT
Me dekret të Presidentit të Republikës,të datës 13/01/2026, i publikuar në Gazetën Zyrtare më 14/01/2026, është caktuar data 22 dhe 23 MARS 2026 për mbajtjen e referendumit sipas nenit 138 të Kushtetutës për ndryshimin e disa neneve të Kushtetutës (e ashtuquajtura “Reforma e drejtësisë”).
Votuesit rezidentë në Itali, të cilët për arsye pune, studimi ose trajtimit mjekësor ndodhen përkohësisht jashtë shtetit për një periudhë prej të paktën tre muajsh, gjatë së cilës përfshihet data e zhvillimit të konsultimeve të ardhshme referendare sipas nenit 138 të Kushtetutës (22 dhe 23 mars 2026), si dhe familjarët bashkëjetues me ta, mund të ushtrojnë të drejtën e votës me korrespondencë, në përputhje me nenin 4-bis, paragrafi 1, të Ligjit nr. 459, datë 27 dhjetor 2001.
Për të marrë zarfin zgjedhor (që përmban fletën e votimit) në adresën e qëndrimit të përkohshëm jashtë shtetit, votuesit e lartëpërmendur duhet t’i dërgojnë DREJTPËRDREJT komunës së tyre të regjistrimit në listat zgjedhore një deklaratë opsioni përkatëse brenda ditës së mërkurë, 18 shkurt 2026.
Opsioni (që mund të ushtrohet përmes formularit të bashkëngjitur ose në letër të lirë) duhet t’i dërgohet Komunës së regjistrimit në listat zgjedhore me postë, postë elektronike të zakonshme ose të çertifikuar. Si alternativ, mund të paraqitet dorazi, edhe nga një person i deleguar nga i interesuari.
Opsioni, i shoqëruar detyrimisht me një kopje të dokumentit të vlefshëm të identitetit të votuesit, duhet të përmbajë në çdo rast adresën e plotë postare jashtë shtetit, ku do të dërgohet paketa zgjedhore, si dhe tregimin e Zyrës Konsullore kompetente sipas territorit. Ai duhet gjithashtu të përmbajë një deklaratë që vërteton plotësimin e kushteve për pranimin në votim me korrespondencë, përkatësisht faktin se votuesi ndodhet përkohësisht jashtë shtetit për arsye pune, studimi ose kurimi për një periudhë prej të paktën tre muajsh (gjatë së cilës përfshihet data e mbajtjes së votimeve), në një shtet të huaj ku nuk ka rezidencë anagrafike, ose se është familjar bashkëjetues i një shtetasi që plotëson kushtet e lartëpërmendura. Kjo procedurë zbatohet gjithashtu për shtetasit italianë të regjistruar në AIRE, të cilët ndodhen përkohësisht në një QARK KONSULLOR të ndryshëm nga ai i rezidencës së përhershme.
Opsioni duhet të bëhet në përputhje me nenet 46 dhe 47 të Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 445, datë 28 dhjetor 2000 (Teksti i Vetëm i dispozitave ligjore dhe rregullatore në fushën e dokumentacionit administrativ), duke deklaruar ndërgjegjësimin për pasojat penale në rast të deklarimeve të rreme (neni 76 i DPR 445/2000).
Është e mundur të revokohet opsioni i paraqitur, sipas të njëjtave mënyra të përshkruara më sipër, brenda të njëjtit afat (18 shkurt 2026). Së fundi, kujtohet se opsioni është i vlefshëm ekskluzivisht për këtë referendum.