Questo sito usa cookie per fornirti un'esperienza migliore. Proseguendo la navigazione accetti l'utilizzo dei cookie da parte nostra OK

Bashkëpunimi ekonomik

 

Bashkëpunimi ekonomik

KUADRI MAKROEKONOMIK I SHTETIT (2021)

Në vitin 2021, PBB-ja e Maqedonisë së Veriut u rrit me 4%; rimëkëmbje e dukshme për shkak të rritjes së investimeve publike, lëvizshmërisë dhe konsumit të brendshëm. Megjithatë, pandemia me “Kovid-19” pati pasoja në investimet private, të cilat u ulën në krahasim me periudhën dyvjeçare 2018-2019, dhe në inflacion (+ 3,2%).

Sipas Raportit të përgatitur nga Banka Botërore në fund të vitit 2020, Maqedonia e Veriut është vendi i shtatëmbëdhjetë në botë ku investimet janë të favorshme (-7 pozita krahasuar me një vit më parë, para pandemisë). Banka Qendrore parashikon rritje të qëndrueshme në periudhën dyvjeçare 2022-2023, pjesërisht falë stabilitetit të gjyqësorit dhe “Planit të rritjes së përshpejtuar” të promovuar nga Qeveria, i cili ka si synim kryesor rritjen e investimeve publike, private dhe të huaja. Rezervat valutore maqedonase u rritën me 8,4% (3,6 milionë euro) në vitin 2021, duke siguruar stabilitetin e monedhës kombëtare dhe të sistemit bankar. Agjencia ndërkombëtare Standard and Poor's riafirmoi vlerësimin "BB-" me një perspektivë të qëndrueshme që i ishte dhënë më parë vendit.

63% e PBB-së së Maqedonisë së Veriut është e përqendruar në sektorin terciar, 28,5% në sektorin industrial dhe 11,4% në bujqësi. Shërbimet që shënojnë aktivitetin më të lartë ekonomik janë sektorët e bankave, ITC, sigurimeve, turizmit, tregtisë (me shumicë dhe pakicë), logjistikës dhe transportit. Sektorët më të rëndësishëm të prodhimit janë: pjesët e automobilave, industria e çelikut, ushqimi, këpucët, tekstilet, duhani, ndërtimi, kimikatet dhe minierat. Rreth 73,000 ndërmarrje të vogla dhe të mesme punojnë në strukturën ekonomike të vendit (sektori privat është shumë i zhvilluar).

Në vitin 2021, prodhimi industrial u rrit me 1.4%, megjithëse sektorët kryesorë të prodhimit shënuan një rënie negative në të njëjtën periudhë: automobilistik (-25%), industria e çelikut (-33%), tekstile (-30%) dhe prodhimi i automobilave (- 15%). Ndër sektorët e rrallë që shënuan rritje janë ai energjetik (+ 18%), prodhimi i duhanit (+ 175%), industria kimike (+34%) dhe përpunimi i gomës dhe plastikës (+27%).

Për të përballuar inflacionin e lartë, ekzekutivi ka vendosur heqjen e përkohshme të TVSH-së për energjinë elektrike dhe ndalimin e rritjes së çmimeve të mallrave bazë. Inflacioni fillimisht pritej të stabilizohej në rreth 2.5% deri në mesin e vitit 2022, por rritja e çmimit të energjisë dhe konflikti në Ukrainë deri tani nuk na lejojnë të besojmë se inflacioni do të ngadalësohet.

Pas rënies së popullsisë aktive (-1,4%), në vitin 2021, shkalla e papunësisë u ul, duke arritur në 15,7% (-0,7% krahasuar me vitin e kaluar). Megjithatë, shkalla e papunësisë tek të rinjtë është më e lartë (27.6%) dhe është problem për popullsinë 15-29 vjeçare.

Në mars 2021, Banka Qendrore uli normën e referencës në 1.25%, që është më e ulëta në periudhën dy vjeçare. Kjo stabilizoi më tej mjedisin makroekonomik dhe monetar, i cili i referohet kryesisht politikës monetare të miratuar nga Qeveria.

Në fund të vitit 2021, borxhi publik i vendit arriti në 60.8% të PBB-së (ekuivalente me 7,135 milionë euro, +652 milionë krahasuar me vitin 2020). Më shumë se gjysma e borxhit publik (4,669 milionë euro) është rezultat i borxhit të Maqedonisë së Veriut ndaj vendeve të huaja. Me këtë rritje të borxhit publik, vendi hyn në rangun e “vendeve me borxhe të larta” sipas kritereve të Mastrihtit. Objektivi i “Strategjisë së menaxhimit të borxhit publik 2020-2025” i nisur nga Qeveria parashikon uljen e borxhit deri në stabilizimin e tij në 58.8%, ose nën pragun 60% të përcaktuar nga kriteret e Mastrihtit. Në dhjetor 2021, borxhi i jashtëm bruto arriti në 9,547 milionë euro (+ 99 milionë euro krahasuar me një vit më parë), duke arritur në 81.4% të PBB-së.

buxhetin e shtetit për vitin 2022, nga ana tjetër, është parashikuar rritje e PBB-së prej 4.6% dhe shpenzime publike prej 4.4 miliardë euro.

TREGTIA NDËRKOMBËTARE DHE INVESTIMET E JASHTME DIREKTE

Maqedonia e Veriut ka një shkallë të fortë të hapjes ndaj tregtisë ndërkombëtare, veçanërisht ndaj zonës së Bashkimit Evropian dhe një varshmëri të madhe nga importet ndërkombëtare. Shkëmbimi tregtar në periudhën janar-dhjetor 2021 u rrit me 23,8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 dhe arriti në 16,560 milionë euro. Me 6,922 milionë euro, eksportet u rritën me 19.8%. Në rritje janë edhe importet (+ 26.9%) me një vlerë prej 9,630 milionë euro. Norma e mbulimit të importeve ishte 71.8%, ndërsa deficiti tregtar arriti në 2.715 milionë euro.

Dinamika e eksportit të Maqedonisë në krahasim me vitin paraprak po rimëkëmbet, veçanërisht falë trendit pozitiv të eksportit të produkteve kimike (+ 36,2%), vajrave me origjinë shtazore dhe bimore (+ 75%) dhe vajrave dhe yndyrave minerale (+ 56, 5%). Sa i përket importeve, megjithatë, ka një rritje të ndjeshme (+26,8%), e përfshirë pothuajse në të gjitha grupet, dhe kryesore janë vajrat dhe yndyrnat me origjinë minerale (+70,4%), produktet kimike (+40,8%), vajrat dhe yndyrna me origjinë bimore (+32,6%), pije dhe duhan (+30%), makina dhe automjete (+22%).

BE-ja mbetet partneri tregtar tradicional maqedonas, si destinacion (mbi 77% e eksporteve maqedonase) dhe si treg burimor (46% e importeve).

Në fund të këtyre përfundimeve, duhet theksuar peshën e investimeve të huaja direkte në Maqedoninë e Veriut. Në vitin 2020, bilanci i IHD-ve arriti në 5,852 milionë euro (54,4% e PBB-së), nga të cilat 4,479 milionë euro kapital dhe 1,372 milionë euro instrumente borxhi.

MARRËDHËNIET DHE MUNDËSITË EKONOMIKE BILATERALE

Në vitin 2021, Italia ishte në pozitën e 8-të në renditjen e vendeve partnere tregtare të Maqedonisë së Veriut, me pjesëmarrje prej 3,77%. Sipas Institutit të statistikave të Maqedonisë së Veriut, shkëmbimi tregtar ndërmjet dy vendeve arriti në 625,2 milionë euro, një rritje prej 29,7 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Eksportet italiane në vitin 2021 arritën në 471.6 milionë euro me një tjetër performancë të shkëlqyer (+23.2% krahasuar me 2020). Struktura e eksporteve italiane dominohet nga: makineritë për qëllime të veçanta, lëkura e regjur dhe e përpunuar, makineritë e përdorimit të përgjithshëm, produktet ushqimore, produktet plastike, tekstilet, këpucët dhe pajisjet elektroshtëpiake.

Importet italiane nga Maqedonia e Veriut u rritën me 45.1%, për një kundërvlerë prej 207.6 milionë euro, që është pothuajse ekskluzivisht për shkak të rifillimit të importit të produkteve të çelikut (+25%), makinerive të tjera për përdorim të përgjithshëm (+63,3%). , pajisje shtëpiake (+ 50,9%), metale bazë të çmuar dhe metale të tjera me ngjyra (+258%), dhe mish i përpunuar dhe i konservuar (+83,7%). Struktura e importeve italiane nga Maqedonia e Veriut dominohet nga: produktet e çelikut, këpucët, pajisjet elektroshtëpiake, makineritë e tjera për përdorime të përgjithshme, mishi dhe produktet e përpunuara të mishit, instrumentet dhe materialet mjekësore dhe dentare, produktet e gomës dhe tekstili.

Situata e investimeve italiane në Maqedoninë e Veriut në dhjetor të vitit 2020, sipas Bankës Qendrore të Maqedonisë së Veriut arriti në 135.7 milionë euro, të cilave duhet t'i shtohen edhe disa raste të blerjeve "offshore" që lidhen pjesërisht me kapitalin italian.

Si përfundim, është e rëndësishme të theksohet se pjesëmarrja e kompanive italiane në tenderët kombëtarë dhe ndërkombëtarë në sektorët e bujqësisë, energjetikës, mjedisit dhe transportit është përgjithësisht e kënaqshme, megjithëse ka kufij shtesë për rritje, duke pasur parasysh edhe marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mes dy vendeve dhe për sa i përket fushave të mëtejshme të interesit. Gjithashtu, duke filluar nga viti 2020, Qeveria e Maqedonisë së Veriut shpall çdo vit “Thirrje për investime strategjike” (aktualja skadon më 30 janar 2023). Projektet që japin një kontribut të rëndësishëm në rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të punës dhe futjen e teknologjive të reja që rrisin kapacitetet prodhuese të vendit konsiderohen si projekte me rëndësi strategjike. Investimet “strategjike” duhet të jenë me një shumë minimale prej 50 milionë eurove (për zonën e Shkupit) ose 100 milionë eurove nëse shtrihen në territorin e së paku dy komunave. Fushat prioritare janë:

- Energjia dhe infrastruktura;

- Transporti dhe telekomunikacioni;

- Turizmi;

- Industria përpunuese;

- Bujqësia;

- Menaxhimi i mbetjeve;

- Informatika dhe zgjidhja dixhitale;

- Shkenca dhe sporti.

 

*Për kërkesa për ndihmë në seksionin ekonomiko-tregtar, klikoni këtu

*Zyra ICE në Shkup (ICE Agjencia per Nxitjen e Shkëmbimeve dhe Promovimin e Ndërmarrjeve jashtë vendit)

http://www.ice.gov.it/paesi/europa/macedonia/

*Për informata të përgjithshme në lidhje me biznesin në Maqedoninë e Veriut, shih faqen e internetit: http://www.infomercatiesteri.it/paese.php?id_paesi=77#slider-1


27