Questo sito usa cookie per fornirti un'esperienza migliore. Proseguendo la navigazione accetti l'utilizzo dei cookie da parte nostra OK

Marrëdhëniet dypalëshe

 

Marrëdhëniet dypalëshe

Italia është një nga mbështetësit kryesorë të aspiratave evropiane dhe euroatlantike të Maqedonisë së Veriut dhe e mbështet vendin në proceset reformuese të nevojshme për arritjen e këtyre synimeve dhe me pjesëmarrje aktive në fushën e IPA-s. Kontributi i sinqertë dhe i fortë i Italisë për vendin i ka rrënjët në bashkëpunimin ndërinstitucional, forcimin e demokracisë në vend dhe reformat strukturore, veçanërisht në fushat e sundimit të ligjit, pavarësisë dhe autonomisë së gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Maqedonia e Veriut në mars të vitit 2020, pas zgjidhjes së mosmarrëveshjes me Republikën e Greqisë, me hyrjen në NATO arriti një nga qëllimet më të rëndësishme strategjike. Megjithatë, qëllimi i dytë strategjik i RMV mbetet i pazgjidhur edhe sot, e ai është hyrja në Bashkimin Evropian, duke qenë se negociatat për anëtarësim po përjetojnë një periudhë stagnimi për shkak të kundërshtimit të Bullgarisë.

Republika Italiane e njeh Maqedoninë e Veriut si një shtet thelbësor për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, një rajon i afërt me Italinë dhe me të cilin ka lidhje shumë të thella historike, politike, sociale dhe ekonomike. Në nivel të BE-së, qëndrimi italian ka qenë gjithmonë i qartë, Italia mbështet integrimin evropian të vendit, siç është vënë re në disa raste nga partneri maqedonas; dhe në momentet më të vështira Italia nuk e ka tërhequr asnjëherë mbështetjen e saj, duke mbetur e bindur për nevojën e fillimit sa më të shpejtë të negociatave të anëtarësimit.

Gjendja e marrëdhënieve politike ndërmjet Italisë dhe Maqedonisë së Veriut është e shkëlqyer dhe në vitet e fundit është duke u intensifikuar vazhdimisht. Këtë e tregon shpeshtësia dhe niveli më i lartë i takimeve dhe vizitave institucionale. Në këtë drejtim, duhet të përmendim: vizitën në Shkup të Ministres së Punëve të Brendshme Luciana Lamorgese më 30 nëntor 2021, pastaj vizita e Ministrit të Brendshëm të RMV-së Oliver Spasovski më 25 maj në Romë. Vizita e Ministrit të Bujqësisë së RMV Lupço Nikollovski tek kolegu i tij Stefano Patuanelli në Romë, më 28 dhe 29 prill. Vizita e kryetarit të Dhomës së Deputeteve Roberto Fico në Shkup, më 12 dhe 13 prill 2022, me rastin e takimit me kolegun e tij Talat Xhaferi. Së fundi, takimi ndërmjet kryeministrit Mario Draghi dhe kryeministrit Dimitar Kovaçevski, i mbajtur në Romë më 24 maj të këtij viti, rikonfirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe rëndësinë që ata i kushtojnë promovimit të stabilitetit dhe rritjes në Ballkanin Perëndimor dhe synimit për integrimin evropian të rajonit.

Gjithashtu duhet theksuar se muajt e fundit janë nënshkruar dy memorandume dypalëshe për forcimin e bashkëpunimit, gjegjësisht në fushën e bujqësisë dhe në fushën e luftimit të trafikut të drogës, pas memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në vitin 2021 ndërmjet ANAC dhe Komisionit për parandalimin e korrupsionit në RMV.


24