Questo sito utilizza cookie tecnici, analytics e di terze parti.
Proseguendo nella navigazione accetti l'utilizzo dei cookie.

Preferenze cookies

Mesazh i Ambasadorit të Italisë SH.T Andrea Silvestri

Të dashur bashkatdhetarë, të dashur miq maqedonas,
viti që po mbaron ishte padyshim një vit shumë i veçantë: Kovid 19 solli shumë vuajtje në të gjithë botën dhe gjithashtu në Itali dhe në Maqedoninë e Veriut. Mendimet e mia të para, pra, shkojnë për numrin e madh të personave që fatkeqësisht na kanë lënë për shkak të kësaj sëmundjeje.
Sidoqoftë, 2020 po mbyllet me një shenjë shprese. Është gati të fillojë fushata e vaksinimit në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Ballkanin Perëndimor dhe na lejon të jemi me optimizëm të matur në lidhje me Vitin e Ri.
Gjithashtu për shkak të koronavirusit, muajve të fundit na është dashur të organizojmë punën e Ambasadës në një mënyrë tjetër, për të zvogëluar rrezikun e infektimit, duke shmangur lëvizje të panevojshme për palët. Në fakt, kemi ftuar palët t’i konsultojnë informacionet në faqen web dhe të kontaktojnë zyrat tona me telefon ose email (për nevoja konsullore në consolare.skopje@esteri.it, për viza në visti.skopje@esteri.it, dhe për pyetje tjera ose të përgjithshme, në segreteria.skopje@esteri.it), por gjithmonë e kemi mbajtur Ambasadën të hapur për palë, me oraret e zakonshme.
Pavarësisht emergjencës, Ambasada ka qenë gjithmonë operative, duke ofruar shërbime thelbësore në mënyrë më të sigurt. Në këtë kontekst, muajt e fundit kemi ofruar ndihmë për bashkatdhetarët që kanë dashur të kthehen në Itali dhe për qytetarët maqedonas që punojnë në Itali. Në përgjithësi, nga marsi deri në qershor të vitit 2020, Ambasada ka ndihmuar 297 persona për t’u kthyer në Itali.
Fatkeqësisht, për muaj të gjatë, vendimet për të parandaluar përhapjen e virusit kanë vendosur kufizime të rënda në lëvizjet midis Maqedonisë së Veriut dhe Italisë dhe gjithashtu në lëshimin e vizave. Këto janë kufizime që na kanë rënduar të gjithëve, por që gradualisht po kapërcehen. Nga 3 dhjetori i kaluar, hyrja në Itali nga Maqedonia e Veriut lejohet në raste dhe me arsye të posaçme, me obligim të kryhet periudha e karantines (më shumë informata janë në dispozicion në faqen tonë të internetit).
Aktivitetet e promovimit kulturor dhe tregtar u siguruan përmes rritjes së përdorimit të mjeteve në internet, gjë që bëri të mundur mbajtjen e kontakteve dhe shkëmbimeve të ngushta midis dy vendeve tona në një siguri të plotë. Gjithashtu për këtë arsye, ju ftoj ta konsultoni rregullisht faqen web (www.ambskopje.esteri.it) dhe faqet zyrtare të Ambasadës në Facebook dhe Twitter (lehtë gjinden përmes adresës @ItalyinMKD), të cilët do t’ju lejojnë të jeni të informuar me lajmet e fundit dhe njoftimet e rëndësishme.
Duke ju rekomanduar që të ndiqni me përpikëri të gjitha masat e parandalimit shëndetësor dhe dispozitat e marra nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të luftuar përhapjen e pandemisë, me këtë rast dua të falënderoj të gjithë ju për mbështetjen e madhe që
na keni dhënë në këtë periudhë. Shpresoj që së shpejti të kemi mundësinë të takohemi përsëri personalisht, duke rizbuluar emocionet me të cilat jemi lidhur, posa të mbetet prapa ky moment i vështirë.
Në emrin tim dhe në emër të të gjithë stafit të Ambasadës, ju uroj juve dhe familjeve tuaja urimet e mia të përzemërta për festat e ardhshme dhe për vitin e ri. Me shpresën që kjo fazë emergjente të përfundojë së shpejti, shpresoj që 2021 të jetë viti i ripërtëritjes, të sjellë sukses dhe qetësi më të madhe për të gjithë ju dhe të dashurit tuaj.
Me respekte,
Andrea Silvestri